Ligj Nr.10 054, datë 29.12.2008, për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin NR.7905, datë 21.3.1995 Kodi I Procedurës Penale I Republikës së Shqipërisë, të Ndryshuar

Në mbështetje të neneve 81 pikat 1 e 2 shkronja “d” dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
 
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
 
VENDOSI:
 
Në ligjin Nr.7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
Neni 1
 
Në nenin 59 pika 1, pas numrit 119 shtohet numri 119/b.
 
Neni 2
 
Pas nenit 191 shtohet neni 191/a me këtë përmbajtje:
 
“Neni 191/a
Detyrimi për paraqitjen e të dhënave kompjuterike
 
1. Gjykata, në rastin e procedimeve për vepra penale në fushën e teknologjisë së informacionit, me kërkesë të prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, urdhëron mbajtësin ose kontrolluesin të dorëzojnë të dhënat kompjuterike të memorizuara në një sistem kompjuterik apo në një mjet tjetër memorizimi.
 
2. Gjykata, në këto procedime, urdhëron edhe dhënësin e shërbimit për dorëzimin e çdo informacioni për abonentët e pajtuar, për shërbimet e ofruara nga dhënësi.
3. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t'u vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos, me akt të motivuar, detyrimin për paraqitjen e të dhënave kompjuterike, të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni dhe njofton menjëherë gjykatën. Gjykata vlerëson vendimin e prokurorit brenda 48 orëve nga njoftimi.”.

 
Neni 3
 
Pas nenit 208 shtohet neni 208/a me këtë përmbajtje:
 
“Neni 208/a
Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike
 
1. Në rastin e procedimeve për veprat penale në fushën e teknologjisë së informacionit, gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos sekuestrimin e të dhënave dhe të sistemeve kompjuterike. Në këtë vendim, gjykata përcakton të drejtën për të hyrë, kërkuar dhe marrë të dhënat kompjuterike në sistemin kompjuterik, si dhe ndalimin për kryerjen e veprimeve të mëtejshme apo sigurimin e të dhënave ose të sistemit kompjuterik.
2. Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të menduar se të dhënat e kërkuara kompjuterike janë memorizuar në një sistem tjetër kompjuterik apo në një pjesë të tij dhe këto të dhëna janë në mënyrë të ligjshme të kapshme prej ose janë të disponueshme nga sistemi kompjuterik fillestar, që kontrollohet, gjykata, me kërkesë të prokurorit, urdhëron menjëherë kërkimin ose hyrjen edhe në këtë sistem kompjuterik.
3. Në zbatim të vendimit të gjykatës, prokuroria ose oficeri i policisë gjyqësore, i deleguar nga prokurori, merr masa:
a) për të ndaluar kryerjen e veprimeve të mëtejshme ose për të siguruar sistemin kompjuterik, vetëm të një pjese të tij ose të një mjeti tjetër memorizimi të dhënash;
b) për të nxjerrë dhe marrë kopje të të dhënave kompjuterike;
c) për të penguar hyrjen në të dhënat kompjuterike, ose për t'i hequr këto të dhëna nga sistemet kompjuterike me të drejtë hyrjeje;
ç) për të siguruar paprekshmërinë e të dhënave përkatëse, të memorizuara.
4. Për zbatimin e këtyre veprimeve, prokurori mund të urdhërojë thirrjen e një eksperti, i cili ka njohuri rreth funksionimit të sistemeve kompjuterike apo të masave të zbatuara për mbrojtjen e të dhënave kompjuterike në të. Eksperti i thirrur nuk mund të refuzojë detyrën pa shkaqe të arsyeshme.”.

 
Neni 4
 
Pas nenit 299 shtohen nenet 299/a e 299/b me këtë përmbajtje:
 
“Neni 299/a
Ruajtja e përshpejtuar dhe mirëmbajtja e të dhënave kompjuterike
 
1. Prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave kompjuterike të caktuara, duke përfshirë të dhënat e trafikut, kur ka shkaqe të mjaftueshme për të besuar se të dhënat mund të humbasin, dëmtohen ose ndryshohen.

2. Në rastin kur të dhënat kompjuterike janë në zotërim ose në kontroll të një personi, prokurori mund ta urdhërojë këtë person t'i ruajë dhe t'i mirëmbajë këto të dhëna kompjuterike, për një periudhë deri në 90 ditë, me qëllim zbulimin dhe nxjerrjen e tyre. Ky afat, për shkaqe të arsyeshme, mund të zgjatet vetëm një herë.
  
3. Personi i ngarkuar për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e të dhënave kompjuterike detyrohet të mbajë sekret procedurat dhe veprimet e kryera, sipas pikës 2 të këtij neni, deri në përfundim të hetimeve.
 
Neni 299/b
Ruajtja e përshpejtuar dhe zbulimi i pjesshëm i të dhënave kompjuterike
 
Personi i ngarkuar me ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave të trafikut detyrohet të marrë të gjitha masat e nevojshme, për të garantuar se të dhënat e ruajtura janë të vlefshme, pavarësisht nëse një apo më tepër dhënës shërbimesh kanë qenë të përfshirë në transmetimin e komunikimit, si dhe t'i sigurojë prokurorisë ose oficerit të policisë gjyqësore, të autorizuar, zbulimin e një sasie të mjaftueshme të të dhënave të trafikut, në mënyrë që të mundësohet identifikimi i dhënësit të shërbimit dhe shtegu, nëpërmjet të cilit komunikimi është transmetuar.”.
 
Neni 5
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin Nr.6012, datë 15.1.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi 

Deja una respuesta

Tu dirección de correo electrónico no será publicada. Los campos obligatorios están marcados con *

Este sitio usa Akismet para reducir el spam. Aprende cómo se procesan los datos de tus comentarios.